Skema e shpërthimit, Gjini ishte në shoqërinë e nipit para ngjarjes, lëvizte si pasagjer

Hetuesit kanë arritur të rindërtojnë të gjithë itinerarin e ndjekur nga 50-vjeçari, Preng Gjini, pak para se automjeti me të cilin udhëtonte, të shpërthente.

Kamerat e sigurisë kanë fiksuar mjetin i cili lëviz nga një universitet privat pranë “Vasil Shantos” në drejtim të “Pallatit me Shigjeta”.

Në zonë ka pasur dhe automjete të tjera, ndërsa sapo është kthyer majtas tek ura e ish-stacionit të fundit të “Tiranës së Re”, atentatorët kanë aktivizuar eksplozivin e telekomanduar. Nga shpërthimi u dëmtuan dhe dy kalimtarë, një 47-vjeçar italian dhe një 14-vjeçar, të cilët po kalonin në afërsi të urës, por pa rrezik për jetën.

Lënda plasëse ishte vendosur në rrotën e poshtme në krahun e pasagjerit, ndërsa vetë Gjini mori plagë të rënda në fytyrë dhe këmbë. Ai është shtruar në spitalin e Traumës, ndërsa sipas mjekëve, është jashtë rrezikut për jetën.

Pak para se të ndodhte ngjarja e rëndë, Preng Gjini ka qenë me mjetin e tij tjetër tip “Benz”, ndërsa në afërsi të universitetit privat ka qenë në një bar me nipin e tij. Këtu Preng Gjini i mori edhe makinën këtij të fundit, por që rezultoi që në të kishte edhe lëndën shpërthyese. Sipas hetuesve, Gjini lëvizte me nipin e tij më së shumti si pasagjer ndaj dhe shpjegohet se pse eksplozivi ishte vendosur në krahun tjetër.