Sulmi me eksploziv, seriali i hakmarrjes mes dy fiseve transferohet në Tiranë

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në Tiranë, tek ish-stacioni i fundit i “Tiranës së Re”, duke shkaktuar panik te banorët e zonës.

Shpërthimi plagosi dhe një 47-vjeçar italian jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dëmtime të lehta mori dhe një djalë 14-vjeçar i cili po kalonte rrugën. Ngjarja shkaktoi panik mes banorëve, pasi në kohën kur u aktivizua shpërthimi kishe mjaft lëvizje.

Hetuesit dyshojnë se sulmi me eksploziv ka të bëjë me hakmarrje mes dy fiseve Gjini dhe Reçi në Rrëshen, ku jo më larg se disa muaj më parë, Kastriot Reçi u ekzekutua me snajper. Preng Gjini është vëllai i Armando ose Tonin Gjinit nga qyteti i Rrëshenit, i cili mbeti i vrarë në gusht të një viti më parë. Ndonëse i kishte shpëtuar disa atentateve, ai u qëllua me breshëri automatiku në sy të fëmijëve të tij.

Por, edhe pse policia dyshon se sulmi ka si motiv hakmarrjen, në të gjitha ngjarjet e rënda nuk ka pasur asnjë të arrestuar. Seriali i vrasjeve nis në vitin 2016, kur u vra Sajmir Jaku, drejtor i Tensionit të Lartë në OSHE.

Një vit më pas, në Romë të Italisë u ekzekutua Gasper Reçi, i cili dyshohej se kishte lidhje me vrasjen e Jakut. Po atë vit, në Belgjikë plumbat i morën jetën 31-vjeçarit, Kreshnik Gjini. Ai ishte nipi i Sajmir Jakut dhe u dyshua se ishte vrarë në shenjë hakmarrje për ekzekutimin e Reçit në Romë.

Në 2019 u ekzekutua dhe vëllai i Preng Gjinit, Armando, ndërsa hakmarrja mes dy fiseve çoi dhe në ekzekutimin e Kastriot Reçit me snajper.