Uzina e Ballshit, ekspertët: Të ndiqen procedurat e falimentit

Publikuar më: 16/9/2020, ora 15:31

Uzina e Ballshit, ekspertët: Të ndiqen procedurat e falimentit

Publikuar më: 16/9/2020, ora 15:31

Ekspertët fiskalë janë të mendimit se zgjidhja e problemit të ARMO-s dhe rafinerisë së Ballshit mund të vijë vetëm me nisjen e procedurave të falimentit për kompaninë, që tashmë prej vitesh rezulton me humbje dhe miliona euro detyrime.

Eduart Gjokutaj, nga qendra studimore ALTAX, deklaron se shteti, si palë kreditore, ka tashmë mundësinë për të gjetur një strategji dalëse në bashkëpunim me pronarët ligjorë të kompanisë.

Përgjatë viteve, ARMO ka krijuar borxhe në miliona euro ndaj tatimeve, që në rast të ndjekjes së procedurave të falimentit, do të merrte përparësi për mbledhjen e borxhit.

Disa ditë më parë, kryeministri Rama njoftoi për një takim me presidentin e Azerbajxhanit, ku u diskutua edhe çështja e rafinerisë së Ballshit, ku është e përfshirë një kompani azere. Palët morën angazhimin për një zgjidhje afatgjatë të problemit, që ndër të tjera mund të nënkuptojë pikërisht edhe shpalljen e falimentit, rritjen e pjesës së aksioneve që zotëron shteti shqiptar, apo caktimin e një administratori shqiptar, siç u bë në rastin e CEZ.