Dialogu Kosovë-Serbi, paqartësi e debate mbi takimin e sotëm në Bruksel

Kosova dhe Serbia ulen sot në tryezën e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, nën sfondin e polemikave lidhur me çështjet që do të diskutohen. 

Këtë herë takimet zhvillohen në nivel ekspertësh, ndërsa pas dhjetë ditësh pritet të ketë një tjetër përballje mes kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit serb Aleksandër Vucic.

Ndërsa ka paqartësi lidhur me atë që do të jetë temë e ditës, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Mirosllav Lajcak, tha në një postim në Twitter se të enjten do të diskutohet për çështjen e pretendimeve financiare dhe në ditët në vazhdim për komunitetet jo shumicë, një referencë ndaj asociacionit të komunave serbe.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar shefi i delegacionit të Serbisë në këto bisedime, Marko Djuric, i cili tha se për Serbinë tema kryesore është zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Edhe sa i përket pretendimeve financiare dhe pronësore, palët kanë qëndrime shumë të ndryshme.

Kosova këtu synon që të përfshihen edhe dëmet e luftës, ndërsa Serbia kërkon të jenë temat që kanë të bëjnë me pronësinë private të serbëve të Kosovës dhe Kishës Ortodokse serbe.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi paralajmëroi një ditë më herët  se “hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm”, dhe i kërkoi parlamentit që përmes një mocioni të pengonte Hotin që të diskutonte këtë çështje. Hoti nga ana e tij, siguroi se asociacioni nuk do të jetë në tryezën e Brukselit të enjten.