Ekspertët: Skemë e re për të garantuar punësimin e naftëtarëve
Rafineria e Ballshit është punëdhënësi më i madh i kësaj zone. Janë rreth 900 naftëtarë që deri në dhjetor kanë pasur kontrata pune me kompaninë dhe që prej asaj kohe janë shkëputur edhe nga skema e sigurimeve shoqërore.
Edison Hoxha, nga Qendra për të Drejtat në Punë, që ka ndjekur procesin që në fillimet e tij shpjegon se qeveria duhet të ndërhyjë për të gjetur një zgjidhje me kompaninë. Ai propozon këtë skemë: “Shteti të krijojë një kompani shtetërore dhe ajo të negociojë me pronarët e rafinerisë me qëllim marrjen në përdorim të rafinerisë për qëllim të mbajtjes së punonjësve në punë. Të shikohet mundësia edhe e disa lehtësive fiskale për këtë kompani”.
Në rast se situata nuk do të zgjidhet, atëherë edhe teknologjia e rafinerisë do të vijë duke u amortizuar nga mungesa e investimeve. Ndërkohë që pasojat e papunësisë së naftëtarëve do t’i vuajnë rreth 1 familje në zonën e Ballshit.
Më herët, një pjesë e naftëtarëve të Ballshit kanë fituar gjyqet me kompaninë për pagat e prapambetura, por këto vendime nuk janë ekzekutuar dhe ata ende nuk i kanë marrë paratë e tyre. Kjo edhe për faktin se nuk është sqaruar ende ligjërisht se kush i ka këto detyrime pas shitjes disa herë të rafinerisë.