Golloberda pa ujë, banorët bllokojnë rrugën që t’i dëgjojë dikush

Banorë të fshatit Golloberdë në bashkinë e Maliqit janë detyruar të protestojnë dhe të bllokojnë rrugën e fshatit, për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve lokale, për mungesën e ujit në banesat e tyre.

Ata kanë denoncuar se problematika jetike për to asnjëherë nuk është marrë parasysh nga autoritetet përgjegjëse. Ndërkohë që mungesa e ujit është akoma më problematike në këtë situatë pandemike që po kalon vendi, sidomos në shkolla.

Banorët kanë replikuar edhe me forcat e policisë, të cilat i kanë kërkuar të shmangin grumbullimet për shkak të situatës pandemike.

Banorët kanë deklaruar përshkallëzim të mëtejshëm të protestave të tyre nëse nuk u zgjidhet furnizimi me ujë të pijshëm.