Karteli shqiptar i drogës, në 5 vite u kapën 4 tonë kokainë e 5,5 milionë euro

Një hetim 5-vjeçar i udhëhequr nga autoritete Italiane shkatërroi një kartel shqipfolës të kokainës në Amerikën e Jugut. 20 persona ranë në pranga mes tyre 6 shqiptarë ndërsa operacioni i koduar “Los Blancos” u zhvillua në 10 qytete. Sipas të dhënave të Europol gjatë hetimit të grupit i cili siguronte kokainën nga Ekuadori janë sekuestruar në total 4 tonë kokainë si dhe 5.5 milionë euro para cash.

Hetuesit kanë arritur të zbërthejnë gjithë zinxhirin i cili e ka pikënisjen nga Dritan Rexhepi në burgun e Ekuadorit. Sipas të dhënave 40-vjeçari nëpërmjet “Kompania Bello” e regjistruar në Amerikën e Jugut bënte negociatat me kartelet e drogës dhe më pas eksportonte kokainën nëpërmjet kontejnerëve. Në Europë por jo vetëm deri në Dubai shqiptarët e lidhur me Rexhepin një pjesë e tyre kushërinj me të, bënin të mundur shpërndarjen e drogave të forta.

Policia arrestoi shqiptarët në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian ndërsa pritet ekstradimi i tyre drejt Firences nën akuzat e grupit të strukturuar kriminal në trafikimin e drogës. Grupi ishte aq i sofistikuar saqë përdorte mesazhe të enkriptuara ndërsa kishte arritur të krijonte dhe një skemë në pastrimin e parave. Shumat funksiononin në një rrjet të dërgesave të parave informale në agjenci të ndryshme e më pas tërhiqeshin nga pjesëtarët e kartelit. Rexhepi një emër i njohur për drejtësinë shqiptarë është i dënuar në Ekuador për trafik narkotikësh ndërsa në Shqipëri kërkohet për një sërë krimesh të rënda mes tyre dhe vrasjen.

Një model i sofistikuar biznesi

Për vite, thotë Europol, importuesit ndërkombëtar të kokainës kanë punuar veçmas tregtarëve me shumicë dhe shpërndarësve të vegjël në rrugët e qyteteve. Por në këtë rast, rrjeti shqipfolës nën hetim e ka braktisur tërësisht këtë model dhe kontrollonte të gjithë zinxhirin, nga organizimi i ngarkesave të mëdha drejtpërdrejtë nga Amerika e Jugut, deri te shpërndarja në të gjithë Europën.

Duke përdorur një sistem të sofistikuar komunikimi të koduar, kreu i grupit, një shqiptar 40-vjeçar me bazë në Ekuador, negocionte drejtpërdrejt me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut, organizonte dërgesat e mëdha me kokainë drejt porteve kryesore të Europës dhe, me ndihmën e bashkëpunëtorëve në Itali, Holandë dhe Shqipëri, organizonte shpërndarjen në Europë. Kokaina trafikohej, thotë Europol, përtej kufijve europianë e fshehur në mjete me hapësira të fshehta të sofistikuara.

Kriminelët pastronin paratë e fituara nga aktiviteti kriminal, thotë Europol, përmes një sistemi me origjinë kineze, të njohur “fei ch’ien”, sipas të cilit një person bën depozitën e parave në emër të një rrjeti “agjencish” në një vend. Më pas, një tjetër bashkëpunëtor tërheq shumën në një shtet tjetër të botës dhe ia kalon përfituesit. Rrjeti besohet se ka pastruar miliona euro nga aktiviteti kriminal përmes këtij sistemi.