Kurora plastike e reperit të vrarë 23 vite më parë shitet për 600 mijë dollarë

Një kurorë mbretërore, plastike, e mbajtur dikur nga reperi Notorious BIG, u shit në ankand për rreth 600 mijë dollarë. E veçanta e saj ishte se reperi, Biggie Smalls (emri i plotë Christopher George Latore Wallace), kishte realizuar një foto me të vetëm tri ditë para se të qëllohej për vdekje në vitin 1997.

Që prej asaj kohe, autori i asaj fotografie, Barron Claiborne, e ka mbajtur kurorën dhe të martën ajo u nxor në ankand nga Sotheby. Edhe pse vlera fillestare ishte 2-3 mijë dollarë, në fund ajo u shit për 594 mijë dollarë.

Claiborne thotë se ajo fotografi bëri që BIG të përjetësohej jo vetëm si Mbreti i Nju Jorkut, por i të gjithë muzikës Hip Hop.

Notorious BIG konsiderohet si një ndër reperët më të mirë të të gjitha kohërave. Në vitet 1990 ai u përfshi në konflikt të vazhdueshëm me një tjetër reper të madh, Tupac Shakur. Pas vrasjes së këtij të fundit në Las Vegas, në shtator 1996, dhe spekulimeve se BIG ishte i përfshirë, Wallace u ekzekutua në mars 1997 në Los Anxhelos. Vrasësi mbetet ende i paidentifikuar.