Naftëtarët e Ballshit, debat në Kuvend mes opozitës dhe mazhorancës

Protestës së naftëtarëve të Ballshit i bëri jehonë në sallën plenare të Parlamentit opozitarja Rudina Hajdari.

Kemi në një anë njerëz të palodhur, që punojnë dhe nuk paguhen. Nga ana tjetër kemi disa njerëz të pangopur, që kanë marrë këtë pasuri, e kanë shfrytëzuar dhe e kanë futur vendin në gropë”, tha deputetja, që së fundmi i është bashkuar lëvizjes më të re politike, Nisma. “Naftëtarët janë njerëz me dinjitet, por sot janë kthyer pa dinjitet nga qeveria. Përballen me heshtje në Parlament. Nuk gjejnë dot drejtësi sepse qeveria hesht, por edhe opozita që e quan veten opozitë jashtë Parlamentit hesht”.

Sipas mazhorancës përgjegjësia ligjore tashmë nuk është e shtetit, ndërsa ajo politike i përket një tjetër qeverie. “Rafinerinë e Ballshit në atë situatë e çoi një privatizim i paligjshëm, korruptiv i Sali Berishës. Është dashur që në vitin 2013 që ai privatizim të hetohet nga Prokuroria. Nuk ka pasur njeri dyshime që prokuroria deri tani nuk do të bënte ndonjë hetim. Nuk e di si mund të ngresh gishtin kundër qeverisë kur aty është një kompani private”, tha kryetari i grupit socialist, Taulant Balla.

Edhe pse nuk i dha përgjigje ankesave të naftëtarëve që protestojnë vetëm pak metra larg zyrës së saj, ministrja e Financave, Anila Denaj tha se ndaj sektorit nuk është treguar indiferencë.