Shkatërrimi i grupit kriminal, kush janë shqiptarët e arrestuar jashtë vendit?

policia tirane 1100x620

Policia e Shtetit ka publikuar emrat e shqiptarëve të arrestuar jashtë vendit në kuadër të operacionit ndërkombëtar, që çoi në shkatërrimin e grupit kriminal që merrej me trafikim kokaine në Evropë.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit:

Në vijim të informacionit të dhënë për operacionin mjaft të suksesshëm ndërkombëtar të koduar “LOS BLANCOS”, zhvilluar me homologët ndërkombëtar, si rezultat i të cilit, në Shqipëri, nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit u kapën dhe u arrestuan 5 persona, bëjmë me dije se janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” edhe për disa shtetas të tjerë, pjesëmarrës të organizatës kriminale, të cilët janë rezidentë jashtë shtetit.

Si rezultat i koordinimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe policive të përfshira në operacion u bë arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i shtetasit Denis Matoshi alias Elti Dizdari, 31 vjeç, person me rekorde kriminale të theksuara në fushën e trafikimit të drogave të forta dhe krimeve ndaj personit.

Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me autoritetet policore italiane, rumune, holandeze, spanjolle dhe hungareze, në kuadër të operacionit “LOS BLANCOS”, u bë u kapja dhe ekzekutimi i masave të sigurisë për shtetasit:

Lek Colaj, 40 vjeç, i cili u arrestua në Rumani;

Gjergj Lesaj, 38 vjeç, i cili u arrestua ne Holandë;

Sokol Aliko (Memetaj), 36 vjeç, i cili u arrestua në Spanjë;

Robert Varga, 44 vjeç, i cili u arrestua në Hungari.

Gjithashtu iu komunikua masa e sigurisë “Arrest në burg” shtetasit Altin Velsula (Hoxha), 36 vjeç, i cili ndodhet në burg në Norvegji.

Policia e Shtetit ka një bashkëpunim solid me partnerët dhe është e angazhuar maksimalisht dhe me profesionalizëm në finalizimin e shumë operacioneve të rëndësishme në kuadër të goditjes së krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme që do bëhen prezent në kohën e duhur.