Eksportet e fasonëve, rritje 5.2% në gusht, a kaloi kriza?

Eksportet e tekstileve dhe këpucëve iu rikthyen rritjes në muajin gusht. Instituti i Statistikave konstatoi se në këtë periudhë pati një rritje të tyre me 5.2% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Kjo është rritja e parë me bazë vjetore e eksporteve të këtij grupi që nga muaji shkurt. Por, nga se ka ardhur dhe a flet ajo për një ecuri pozitive të fasonëve në vijim?

“Kjo rritje merret në bazë të eksporteve që tashmë klientët kishin bërë porosi dhe është thjesht një likuidim. Kjo nuk do të thotë se ka rritje të kërkesave”.

Përfaqësuesit e industrisë fason shpjegojnë se shumë kompani po mbijetojnë duke e orientuar prodhimin drejt maskave dhe veshjeve mjekësore, për të cilat ka kërkesë. Por, ky proces ka kosto dhe shumë prej firmave kanë vështirësi me likuiditetin. Kjo është edhe kërkesa kryesore e kësaj industrie për qeverinë, në kushtet kur instrumenti i garancisë sovrane 2 për shumë fasonistë nuk ka funksionuar.

Fasonistët kërkojnë që qeveria të ndjekë skemat që po zbatohen aktualisht në vendet e rajonit, si Maqedoni e Veriut dhe Bullgari për mbajtjen në këmbë të këtij sektori dhe që konsistojnë në garantimin e teknologjisë së nevojshme për prodhimin e maskave dhe veshjeve mjekësore apo subvencionimin për punonjës. Në të kundërt edhe ato pak porosi që janë sot, rrezikojnë të zhvendosen drejt këtyre vendeve.