Pavarësisht pandemisë, bizneset transferojnë jashtë vendit 258 milionë euro
Për bizneset që operojnë në tregjet e mbikëqyrura financiare, si bankat apo kompanitë e sigurimeve, shpërndarja e fitimeve u pezullua përmes vendimeve të posaçme të autoriteteve rregullatore për të gjithë vitin 2020. Ndërkohë që ka vijuar për sektorët e tjerë të ekonomisë.
Pavarësisht periudhës së pandemisë, bizneset e huaja e kanë transferuar jashtë vendit fitimin e tyre. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se flukset dalëse në zërin e të ardhurave nga investimet, kryesisht transferimi i fitimit për tremujorin e dytë të vitit ishin 136 milionë euro. Ndërsa si periudhë 6-mujore, flukset dalëse arritën në 258 milionë euro, me një rënie prej vetëm 9 milionë euro krahasuar me një vit më parë dhe duke qenë dukshëm më të larta se në vitet 2016, 2017 dhe 2018.
Pritej që pandemia e COVID-19 të frenonte transferimin jashtë vendit të fitimeve të kompanive të huaja, për shkak të pasigurive të shtuara. Për bankat apo kompanitë e sigurimit, që operojnë në tregjet e mbikëqyrura financiare, shpërndarja e fitimeve u pezullua përmes vendimeve të posaçme të autoriteteve rregullatore për të gjithë vitin 2020. Ndërkohë që të dhënat zyrtare tregojnë se transferimi i fitimeve ka vijuar për kompanitë që operojnë në sektorë të tjerë.
Këto janë dalje periodike të të ardhurave në formën e dividendëve që shoqëritë me kapital të huaj shpërndajnë te aksionerët e tyre jashtë vendit dhe janë para që investohen jashtë Shqipërisë. Kjo edhe për shkak të strukturës së ekonomisë sonë, pasi jemi një vend kryesisht pritës i investimeve të huaja.
Transferimi i fitimit të kompanive të huaja jashtë vendit
(Burimi: Banka e Shqipërisë)
6-mujori i parë 2016 – 108
6-mujori i parë 2017 – 187
6-mujori i parë 2018 – 187
6-mujori i parë 2019 – 267
6-mujori i parë 2020 – 258.