Vendimet e gjykatave, shteti duhet të paguajë nga buxheti 34 mln USD për largimet nga puna

Krahas vendimeve të arbitrazhit ndërkombëtar, që vetëm për kompanitë Bechetti dhe Aktor kanë krijuar një faturë prej 153.4 milionë euro, buxheti i shtetit duhet të përballet edhe me kostot e vendimeve të gjykatave shqiptare për largimet e padrejta nga puna.

Ministria e Financave pranon në Buxhetin Faktik për vitin 2019, të dorëzuar në Kuvend se për këtë periudhë detyrimet e prapambetura për vendime gjyqësore rezultuan në rreth 3.4 miliardë lekë, shumë kjo ekuivalente me rreth 34 milionë dollarë.

Detyrimet për vendime gjyqësore

Sipas përllogaritjeve të Financave, fatura e largimeve të padrejta nga puna përbën aktualisht edhe 42% të totalit të detyrimeve të pashlyera që qeveria iu ka individëve apo bizneseve dhe që në total arriti në fund të 2019 vlerën e 8.2 miliardë lekëve.

 Fatura financiare për largimet e padrejta nga puna në nivel qendror dhe vendor shndërrohet kështu në barrën e radhës për buxhetin e shtetit, në kushtet kur ky i fundit ndodhet aktualisht në krizë, me një mosrealizim të fortë të të ardhura me rreth 280 milionë euro deri në gusht.

Nga largimet e padrejta nga puna buxheti ka një kosto të dyfishtë: e para për të ekzekutuar vendimet e gjykatave dhe e dyta, pasi në vendet ku punonjësit janë larguar me të padrejtë janë emëruar të tjerë, çka do të thotë se për një vend pune paguhet dy herë.

Sipas ligjit, për vendimet e padrejta nga puna nuk mbajnë përgjegjësi zyrtarët që firmosin, por ato i faturohen institucionit.