Plebishit në referendumin italian, reduktohet 1/3 e Parlamentit

itali 1100x620

Më shumë se një referendum, duket një plebishit. Italianët kanë vendosur për uljen drastike të vendeve në Parlament, që do të kalojnë nga 630 në 400 në Dhomën e Deputetëve, dhe nga 315 në 200 në Senat.  

Sipas exit-polleve, por edhe rezultateve reale paraprake, rreth 70% ka votuar për ndryshimin, që ka qenë një nga betejat e hershme të Lëvizjes “5 Yje”.

Dhe në fakt lideri i parë italian që reagoi ishte ministri i Jashtëm dhe lider i Lëvizjes, Luigi Di Maio, që e cilësoi rezultatin si një arritje historike. “Kthehemi te një Parlament normal, me 345 vend edhe privilegje më pak”, deklaroi ai.

Dakord edhe Partia Demokratike, që fillimisht nuk ishte me linjën e këtij reduktimi, por iu besua aleatit të saj në qeveri.  “Me fitoren e Po-së, hapet një sezon i ri reformash”, deklaroi Nicola Zingaretti, sekretari i partisë së majtë.

Ndërkohë, edhe e djathta e Legës së Matteo Salvinit kishte mbështetur referendumin, por  shton se “populli ka vendosur reduktimin, dhe do të ishte e udhës të shpërbëhej Parlamenti në mënyrë që të shohim me zgjedhje të reja eficencën e reformës së miratuar”, deklaruan drejtuesit e partisë.

Sot u votua edhe në rajone të ndryshme italiane, për presidentin e tyre. Toskana, Pulia dhe Kampania mbeten me kandidatët e koalicionit të qendrës së majtë, ndërkohë që Liguria, Veneto, Val D’Aosta dhe Marke u fituan nga partitë e djathta.