Paketa anti-shpifje, PS garanton presidentin: Asnjë draft pa ndërkombëtarët

Përditësuar më: 23/9/2020, ora 14:50

Paketa anti-shpifje, PS garanton presidentin: Asnjë draft pa ndërkombëtarët

Përditësuar më: 23/9/2020, ora 14:50

Shqetësimeve ndërkombëtare edhe atyre të brendshme mbi paketën anti-shpifje iu ka dhënë zë edhe Presidenti i Republikës, që e çoi çështjen në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit.

Ilda Zhulali, Këshilltare për Integrimin Evropian, pranë Presidencës, kërkoi që opinion i Venecias të respektohet dhe procesi të jetë transparent.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme, në këtë fazë dhe për vetë jehonën e madhe ndërkombëtare që ka pasur çështja që të ketë transparencë më të madhe me publikun shqiptar, grupet e interesit dhe institucionet e tjera të përfshira në këtë proces, për të respektuar një më një të gjitha rekomandimet e komisionit të Venecias”, u shpreh Zhulali.

Taulant Balla pranon se socialistët po punojnë në Kuvend për kthimin e amendamenteve në legjislacion. Si nënkryetar i Këshillit të Integrimit, numri dy mazhorancës garantoi se asnjë draft nuk do të zyrtarizohet pa marrë më parë dakordësinë e ndërkombëtarëve.

“Është një proces që vijon të përfshijë Këshillin e Europës, Komisionin Europian dhe padyshim që në një moment do të përfshihet dhe OSBE që ka qenë partneri i parë. Pasi të ketë një dakordësi amendamentet mund të marrin rrugën e diskutimit në Kuvendin e Shqipërisë”, tha Balla.

Më herët, Presidenti Meta ka kërkuar nga mazhoranca që të reflektojë sa më shpejt lidhur me këtë paketë, që ajo të mos kthehet në një tjetër pengesë për Shqipërinë në rrugën e integrimit.

Në kohën kur Shqipëria ndodhet në prag të publikimit të raportit nga Komisioni Europian e në pritje të një date për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, Balla ka kërkuar përmbushjen e përparësive të përcaktuara nga Këshilli i BE-së në mars të këtij viti, që duhet të jenë sipas tij, një udhërrëfyes për të gjitha institucionet.