Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Hajdari: Koha juaj ka mbaruar, bëni jetë luksoze ndërsa shqiptarët zvarriten për punë. Spiropali: Mbaj përgjegjësi për anëtarët e familjes tënde

Nga A2 CNN
24 Shtator 2020, 11:25 | Politikë
Hajdari: Koha juaj ka mbaruar, bëni jetë luksoze ndërsa

“Koha juaj ka mbaruar, të nderuar kolegë. Ka mbaruar sot, sepse e shikoj në sytë e shqiptarëve”. Rudina Hajdari nuk i kurseu kritikat ndaj socialistëve në fjalën e saj në Parlament, duke e quajtur propozimin e tyre për hapjen e listave një mashtrim historik.

“Në kryefjalën e këtij Parlamenti ekziston vetëm diçka, mashtrimi dhe pandershmëria. Dhe pyes veten si ka mundësi që gjithë këta njerëz përfaqësohen nga ju në Kuvend. Si ka mundësi që ky Parlament vetëm i mashtron këta njerëz? Kjo arriti kulmin kur PS bëri një propozim për hapjen e listave, që në fakt ishte totalisht mbyllje e listave. Por Edi Rama ishte ai vetë që i pa shqiptarët në sy dhe u tha, listat do të hapen 100% dhe ka mbaruar koha kur kryetarët zgjedhin deputetët në kuvend. Ky do të renditet si ndër mashtrimet më të mëdha që është bërë në këto 30 vite”, tha Hajdari.

“Ju keni frikë nga populli, nga vota e qytetarëve shqiptarë. Nuk u dilni dot përballë qytetarëve të ndershëm, punëtorëve të rinjve e të rejave. T’ju zgjedhin ata dhe ata të përcaktojnë se kush do të jetë përfaqësues i atyre njerëzve. Ju i keni braktisur ata, sepse jeta juaj është luksoze, nëpër vila, me orendi të shtrenjta që vetëm ju e dini sesi i përballoni, ndërsa pjesa dërrmuese e shqiptarëve nuk kanë lekë në xhep dhe zvarriten për të kapur në punë. Ju shkoni nëpër spitalet e botës, shëndeti juaj është në rregull. Fëmijët tuaj arsimohen në vendet më luksoze në botë, ndërkohë që sot në Shqipëri akoma diskutohet për ngrohje në ambientet shkollore. Si ka mundësi që e bëni këtë? Ju po bëni atë që nuk ia ka bërë njeri kurrë vendit të tij. Dilni para popullit, merrini votën dhe mos u mbroni me listat e kryetarëve”.

Nga mazhoranca, replikën me deputeten e dalë nga PD, por që i është bashkuar së fundmi lëvizjes më të re politike, Nisma, e bëri Elisa Spiropali, e cila i kujtoi koleges faktin që mamaja e saj, gjyqtarja e Apelit, Fatmira Hajdari nuk kaloi procesin e vetting-ut, pasi nuk justifikoi pasurinë. “E nderuar Rudina mbaj gojën në Kuvendin e Shqipërisë, vëri frerë vetes. Iu drejtove këtu deputetëve të nderuar të PS, më të shumtë të ulur në sallë, gra. Nuk të kanë asnjë borxh, i fyen dhe broçkullit pa sens. Dakord? Nuk të kemi asnjë borxh. Dhe në rast se ne mbajmë përgjegjësi për listën tonë, mbaj edhe ti përgjegjësi, zonjë e dashur, për të gjithë, edhe për anëtarët e familjes tënde biologjike dhe asaj politike. Dhe nëse do të flasësh këtu për lista, e zgjedhje, ti nuk je e votuar, ke hyrë në kuvend nga lista e PD. Dil tani në votim dhe shiko sa vota merr? Provoje, shko, hyji detit në këmbë dhe ta shohim ku do të dalësh?”, tha Spiropali.

A2 CNN Livestream

Dita jonë