Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Shpërndante drogë, arrestohet dentisti i burgut

Nga A2 CNN
26 Shtator 2020, 11:46 | Kronikë
Shpërndante drogë, arrestohet dentisti i burgut

Stomatologu i burgut 313 në Tiranë është arrestuar nga Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Burgje, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pasi akuzohet se shpërndante lëndë narkotike brenda ambienteve të burgut. Përveç dentistit, i identifikuar vetëm me iniciale, F.B. është nën akuzë dhe një i paraburgosur.

“I paraburgosuri R.S. rreth orës 11:30 të datës 25.09.2020 është vizituar tek stomatologu i IEVP 313 Jordan Misja, F.B., kabineti i të cilit ndodhet në godinën B të institucionit. Pas vizitës dentare, ura metal-detektor gjatë kthimit të këtij të paraburgosuri ka dhënë sinjal dhe pas kontrollit fizik në trupin e tij u gjet një sasi e konsiderueshme lëndë e dyshuar narkotike rreth 100 gram e mbështjellë me letër alumin dhe me plastmas.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se i paraburgosuri R.S. dhe stomatologu F.B kanë pasur kontakt me njëri-tjetrin. Në vajtje për te klinika nuk është dhënë sinjal nga ura metal-detektor, ndërsa në kthim janë aktivizuar sinjalet e urës.

Pas kryerjes së veprimeve procedurale dhe administrimit të provave si, deklarime, këqyrja e kamerave, dokumente, etj, u bë arrestimi i tyre. Materialet do të referohen në prokurorinë e rrethit Tiranë për veprën penale të "Futja dhe mbajtja e sendeve të ndaluara' parashikuar nga neni 324/a i Kodit Penal në ngarkim të të paraburgosurit R.S. dhe në ngarkim të stomatologut të IEVP Jordan Misja, F.B, për veprën penale të parashikuar nga neni 324/a/2 'Futja e mbajta e sendeve të ndaluara në IEVP' dhe neni 283 i Kodit Penal, 'Prodhimi dhe shitja e narkotikëve'”, thonë autoritetet.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu