Basha: 312 milionë euro për 6 muajt e ardhshëm për të dalë nga kriza e pandemisë

PD plani 1100x620

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se “situata e shëndetësisë dhe situata në ekonomi kërkon masa emergjente”, edhe po të mos ishim në pandemi.

“Edhe po të mos ishte gjendja e pandemisë, situata e shëndetësisë dhe situata në ekonomi kërkon masa emergjente, sot më shumë se kurrë, sot më shumë se 3 muaj më parë, se 4 muaj më parë. Ju e mbani mend fare mirë paketën e propozuar atëherë. Kostoja e saj shkonte 90 milionë euro, ndërsa masat që ne propozojmë për 6 muajt e ardhshëm përllogariten në 52 milionë euro në muaj. Pra, efekti total është afro 312 milionë euro për 6 muajt e ardhshëm, duke nisur nga tetori. Kjo përbën 2,45% të prodhimit të brendshëm të Shqipërisë dhe e vendos Shqipërinë në mesataren e shpenzimeve të rajonit, për t’u përballur drejtpërdrejt me pasojat e COVID te shëndeti dhe pasojat ekonomike”, tha Basha.

“Nuk na çon në vendet me paketën më ambicioze në rajon, flas për Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë, Bosnjën, jo për vendet e tjera, por na nxjerr nga niveli afrikan i shpenzimeve në raport me prodhimin e brendshëm bruto, 0,86%. Kaq janë shpenzimet e qeverisë sipas FMN për t’u përballur me COVID dhe pasojat ekonomike të tij’, shtoi kreu i PD-së.