Dita Kombëtare e Trashëgimisë, një ekspozitë për monumentet në muzeun me mure të plasaritura

Tërmeti i nëntorit vuri në rrezik ekzistencën e 23 monumenteve, siteve dhe institucioneve të kulturës, që për muaj të tërë u mbyllën për vizitorët.

Në ditën kombëtare të trashëgimisë kulturore, thuajse shumica prej tyre, janë ende ndërtesa me risk të lartë dhe dëmtimet janë të mëdha. Muaj më vonë, në këtë vit të vështirë për kulturën, këto institucione i pamë të mbyllura edhe prej pandemisë.

Kështu ndodhi edhe me Muzeun Historik Kombëtar, që në muajt dhjetor-janar u mbyll prej lëkundjeve të Tokës, derisa të sigurohej se ndërtesa nuk ishte e rrezikshme për vizitorët, e pastaj nga marsi në qershor i mbyllur prej pandemisë, e ndali misionin e tij.

Sot, në hollin e tij i bëhet jehonë ndërtesave të trashëgimisë kulturore të shpërndara në çdo cep të Shqipërisë.

Fotografitë e ekspozuara në muze janë vepra të çdo udhëtari që fiksuan një thesar trashëgimie në aparatin e vet fotografik, si vazhdim i motos “Pusho shqip”.

E ndonëse kjo ekspozitë vjen si një thirrje artistike për të njohur vepra monumentale shqiptare, A2 nuk rezervohet të kujtojë se situata mbetet e rëndë në qytetin e Durrësit, ku numërohen disa monumente të dëmtuara, në Krujë, ku kulla thërret për vëmendje apo qoftë edhe në Muzeun Historik Kombëtar, nga ku sot tregohet përmes fotove magjia e trashëgimisë kulturore që ofron Shqipëria.