FMN mbyll misionin, parashikohet tkurrje e ekonomisë me rreth 7.5%

Viti 2020 do të mbyllet me një rënie ekonomike prej 7.5% për Shqipërinë, ndërsa menjëherë më pas nisin detyrat për qeverinë. Parashikimi vjen nga misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, që kësaj radhe flet jo vetëm si këshillues, por edhe si kreditor i ekonomisë shqiptare, pas huasë prej 190 milionë dollarësh të akorduar në Prill.

Fondet për të përballuar krizën janë të mjaftueshme, edhe pse kanë rritur rrezikun nga borxhi publik. Për këtë arsye, menjëherë sapo ekonomia të shfaqë shenjat e rimëkëmbjes, Fondi rekomandon nisjen e konsolidimit fiskal. Kjo do të thotë kufizim i shpenzimeve joprioritare të qeverisë, një menaxhim më i mirë i investimeve publike dhe veçanërisht rritja e të ardhurave nga taksat. Kjo e fundit, diçka që kërkohet prej kohësh nga FMN, së bashku me thjeshtëzimin e sistemit tatimor aktual tepër kompleks dhe joefikas. Objektivi, është mbushja e hendekut të të ardhurave nga taksat prej 5% të GDP-së, që Shqipëria mbledh sot më pak se vendet e tjera të rajonit. Apo rreth 800 milionë euro në vit më pak, përkthyer në shifra konkrete, para që do të duhet të paguhen nga bizneset dhe individët.

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar bëri një parashikim të ecurisë edhe për sistemin financiar, ku bankat do të vihen në provë veçanërisht nga rritja e kredive me probleme.
Ndërkohë, pasiguria globale që buron nga pandemia, duhet të përgatisë institucionet të marrin masa dhe të grumbullojnë fonde rezervë në rast të një krize edhe më të rëndë, pa anashkaluar mbrojtjen e shtresave më në nevojë dhe ofrimin e kujdesit të duhur shëndetësor për popullatën.