Kodi Zgjedhor, Patozi: “Ustallarët” po përpiqen ta mbajnë mbyllur portën e pushtetit të tyre

patozi astrit 1100x620

Vendimin për të hequr nga rendi i ditës Kodin Zgjedhor në seancën e 1 tetorit, Astrit Patozi, koordinatori i Bindjes Demokratike, e shesh si një sinjal të qartë “zbythjeje” të mazhorancës.

“Fakti që mazhoranca kërkoi kohë për t’u menduar dhe i ra ai vrulli i çartur për ta mbyllur më 1 tetor historinë e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor është një sinjal i qartë zbythjeje. Që do të thotë se, me shumë mundësi, drafti i Damin Gjiknurit do të pësojë ndryshime dhe ky nuk është lajm i keq”.

Megjithatë, në statusin e tij në Facebook, Patozi shkruan se është ende shpejt për të “fërkuar duart”. “Por është ende shpejt për të fërkuar duart, pasi jam i sigurt se ustallarët janë duke u përpjekur sërish që ta mbajnë mbyllur portën e pushtetit e tyre për ta “mbrojtur” atë nga populli”.

Më tej, Patozi shkruan se në këtë fazë fundore të debatit mbi reformën zgjedhore, tri janë mundësitë, që mund të paraqiten për t’u votuar në parlament.

“1-Të qëndrojë herësi, si koncept që nuk e hap listën 100 për qind, por të ulet pragu i tij. Ai mund të përgjysmohet, apo të shkojë edhe më poshtë, por sërish një kandidati do t’i duhet të kapërcejë një numër të caktuar për të përmbysur listën e kryetarëve. Ky është, në fakt, varianti më i keq.

2-Të hapet lista 100 për qind, siç e kanë kërkuar të gjitha partitë në opozitë, duke filluar nga Partia Demokratike, e deri te forcat politike, që ende nuk janë krijuar. Ky është varianti optimal, i cili e ka brenda konsensusin e plotë të gjithë faktorit opozitar, por është shumë larg projektit të paraqitur nga qeveria.

3-Hapja e listës të jetë e plotë dhe reale deri në masën 70 për qind, ndërsa për pjesën tjetër partitë të ketë mundësi të zgjedhin. Që do të thotë, kush do, e hap 100 për qind listën e vet, ndërsa dikush tjetër mund ta mbajë deri në 30 për qind mbyllur. Ky është një variant i ndërmjetëm, por ndoshta duke qenë i tillë mund të shërbejë edhe si zgjidhje kompromisi.

Mundësi të katërt nuk shoh, ndaj edhe i gjithë debati duhet të fokusohet për të arritur variantin më të mirë të mundshëm, që kemi në dispozicion. Dhe këtu duhet të kemi parasysh interesin e Shqipërisë, jo të një apo disa partive.

Të jetë për ne, i ngremë të dyja duart lart për hapjen e plotë dhe pa kushtëzime, e pranojmë deri diku edhe mbajtjen mbyllur opsionale, ndërsa refuzojmë kategorikisht herësin e Gjiknurit, qoftë edhe të reduktuar, si një instrument për të mos i hapur praktikisht listat e deputetëve”, mbyllet postimi i Patozit.