KQZ e re, komisioni i posaçëm nis dëgjesat me kandidatët

Admir Drago, ish-këshilltar i kryeministrit Berisha ishte i pari kandidat që hapi dëgjesat për anëtarët e KQZ-së së re.

Ashtu si ish-ministrja teknike e Financave në 2017-n, Helga Vukaj dukej se gëzonin konsideratën si të së majtës dhe së djathtës në komisionin e posaçëm që do të bëjë përzgjedhjen.

Në komisionin parlamentar të drejtuar nga Damian Gjiknuri, opozita jashtëparlamentare përfaqësohej nga Oerd Bylybashi, e shkuara e pjesës më të madhe e kandidatëve ishte e njohur për të dyja palët.

Pyetja nëse ka qenë anëtar partie iu bë të gjithë kandidatëve, por vetëm Haki Mustafa, ish-drejtuesi teknik i OSHEE-së në 2017-s, e pranoi.

Elvis Cefës, ish-nënkryetarit të KLD-së iu vu në dukje shkarkimi pompoz që mazhoranca socialiste i bëri në 2014-n. Ndërsa Hysen Osmanajt, dikur anëtar i KQZ-së iu vlerësua eksperienca. 

I vetmi defekt, nga ana tjetër, për anëtarin në detyrë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pikërisht fakti që nuk ishte “ish”.

Janë 12 anëtarë që do të zgjidhen në 3 nivelet e KQZ-së së re, komisioneri, nënkomisioneri, 5 anëtarët e rregullatorit dhe 5 ata të komisionit të ankesave dhe sanksioneve.