Kriza ekonomike, Rushaj: Propozimi i PD është konkret për 1 milion shqiptarë

Asnjë shqiptar të mos lihet pas dore, ndihmë për biznesin e vogël, mbështetje për biznesin prodhues dhe punëdhënësit e mëdhenj, 20 mijë lekë për pronarët që marrin në punë punonjësin e larguar, çek 1000 euro për biznesin e vogël, çek 2 mijë lekë të reja për pensionistët, çdokujt që ka humbur vendin e punës, të marrë një çek mujor 16 mijë lekë në muaj për 6 muaj me radhë. Aktualisht kryhen rreth 900 testime për Covid-19, ato duhet të arrijnë deri në 2500. Në vija të trasha këto ishin pikat me të cilat kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mendon se duhet të dilet nga rënia ekonomike që solli  pandemia.

Të jesh opozitë ka dy të mira. E para, je pronë publike e atyre që shpresojnë se te ty do shohin gabimet e atij që qeveris. E dyta, meqenëse nuk ke asgjë në dorë, e ke kollaj të kërkosh. Kryetari i Partisë Demokratike duket se ka filluar një lloj fushate konkrete me propozime, po aq konkrete, kryesisht ekonomike dhe i jep ato pak nga pak jo si platformë qeverisëse, por si një formë se si e shesh opozita mënyrën për të zgjidhur një çështje të caktuar.

Drejtori i fushatës dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Alfred Rushaj, ishte i ftuar në A2, nga ku dha detaje mbi propozimet e opozitës jashtë parlamentit.

“Që në mars, PD ka dalë me një propozim konkret, deri në detaje, në ndryshim nga qeveria. Pavarësisht retorikave të qeverisë, pas pak kohësh, ka adoptuar fije për pe propozimet tona. Ne kemi propozuar edhe mënyrën se ku mund të gjendet paratë. Reduktimi i shpenzimeve të kota, efektiviteti i shpenzimeve, tek të ardhurat që qeveria duhet të marrë dhe t’ua shpërndajë atyre që janë në nevojë. Janë rreth 360 mln euro që konsiderohen si keqmenaxhim i prokurimeve publike në një vit. Kjo është një shifër që mund të jetë pjesë e buxhetit të shtetit. Propozimi ynë është konkret për 1 milion shqiptarë dhe prek thuajse çdo familje të republikës së Shqipërisë. Ne jemi konkret se ku do të gjenden lekët. Të gjitha këto shpenzime shkojnë te një grup shumë i vogël njerëzish”.

Në këtë situatë që është vendi, Alfred Rushaj tregon edhe prioritetet që duhet të ketë qeveria aktuale. “Prioritet për mua është financimi i shtresave në nevojë, prioritet për mua është financimi i atyre që kanë humbur, financimi i pensionistëve, mjekët, spitalet, rrugullimi i shkollave. Programi ynë është shumë më i detajuar, afatmesëm dhe afatgjatë. Ne po themi se çfarë duhet të bëjë kjo qeveri sot”.

Rushaj u shpreh më tej se PD ka ngritur një grup për të shqyrtuar kontratat koncesionare. “Ka një grup që ka shqyrtuar një pjesë të mirë të kontratave të koncesionarëve dhe që tani kemi një plan të qartë se çfarë do të bëjmë me to. Ka disa hapa që ne mendojmë që do të jenë të suksesshme. Ne kemi qenë konkret me denoncime dhe në hapat që do të marrim kur të kemi mundësi. Ne kemi eksperiencën e duhur dhe profesionalizmin. Që tani kemi ngritur grup për të parë se cilat janë shkeljet që ka bërë qeveria me këto kontrata”, u shpreh Rushaj në A2.