Listat e zgjedhësve, Lleshaj: Nuk preken qendrat e votimit, do votoni si herën e fundit

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, tha se nuk ka asnjë ndërrim të qendrave të votimit të qytetarëve. Në daljen e tij të parë publike për listat e zgjedhësve, Lleshaj u shpreh se qendrat e votimit do të jenë të njëjta ku kanë votuar qytetarët herën e fundit pasi janë procese të ndara.

 “Është gënjeshtër e plotë, lajmi se janë ndërruar arbitrarisht qendrat e votimit të qytetarëve. Për këtë arsye bëhet logjikisht i pamundur komenti mbi pretendimin se kjo gjë po u ndodh votuesve të djathtë. Nuk ka asnjë lloj ndryshimi të qendrave të votimit për qytetarët. Asnjë! Dhe nuk do të ketë asnjë ndryshim arbitrar të qendrave të votimit”, deklaroi Lleshaj.

Sipas tij opozita ka fabrikuar lajme se ministria në mënyrë arbitrare po e bën këtë, por trilluesit e lajmit do të përballen me të vërtetën.

Për ministrin e Brendshëm, “në bazë të detyrimeve të Kodit Zgjedhor, ekstrakti i parë i listës së zgjedhësve do të publikohet pas disa ditësh, saktësisht më datën 5 tetor 2020, dhe të gjithë do kenë mundësinë të verifikojnë këtë të vërtetë të thjeshtë. Kjo është e vetmja e vërtetë për këtë trillim të turpshëm mediatik”.

Për sa i përket sistemit të adresave, Lleshaj tha se tashmë çdo qytetar nuk është më i huaj dhe i paidentifikuar në vendin e tij.

 “Elementi kyç i këtyre ndryshimeve është kushtëzimi i të gjithë shërbimeve publike dhe jo publike me pasjen e një adrese të saktë për çdo qytetar. Çdo qytetar do të ketë adresën e tij të standardizuar sipas ligjit dhe do të marrë shërbimet vetëm në bazë të adresës së regjistruar”, tha ai.  

Në mbyllje, ministri i Brendshëm ritheksoi se procesi i përditësimit të adresave nuk e prek qendrën e votimit të qytetarëve për zgjedhjet e 25 prillit 2021.