Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Marrëdhëniet me FMN, historia dashuri-urrejtje mes qeverive shqiptare dhe Fondit

Nga A2 CNN
29 Shtator 2020, 15:19 | Ekonomi

28 vitet e prezencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri karakterizohen nga luhatje të forta në marrëdhëniet mes qëndrimeve të ekspertëve të huaj dhe atyre të ligjzbatuesve shqiptarë. Lufta dhe paqja midis palëve është përcaktuar nga kushtet e vendosura nga programet që shoqërojnë huamarrjen te FMN, veçanërisht për tavanet e borxhit, mbledhjen e taksave apo shpenzimet e qeverisë. Diçka që palët politike e kanë sulmuar në qeveri dhe e kanë kërkuar në opozitë.

Shqipëria deri më tani ka marrë pjesë në 7 programe të mbështetura me fonde nga FMN, duke nisur nga ai i vitit 1992, kur qeveria mori një borxh prej rreth 30 milionë dollarësh, me kushtin e reformave të thella ekonomike dhe privatizimeve të kompanive shtetërore. Ky program ndihmoi vendin të arrinte një rimëkëmbje të jashtëzakonshme, ku rritja ekonomike vjetore ishte mesatarisht 9%, ku deficiti buxhetor u ul ndjeshëm dhe ku rritja e çmimeve u stabilizua.

https://a2news.com/2020/09/29/fmn-mbyll-misionin-parashikohet-tkurrje-e-ekonomise-me-rreth-7-5/

Por në vitin 1996, qeveria shqiptare iu shmang detyrimeve të saj, duke detyruar FMN të braktiste programin. Kjo solli rritjen e informalitetit në ekonomi dhe lulëzimin e skemave piramidale, që e zhytën vendin në krizë.

Pas zgjedhjeve të vitit 1997, u rivendosën marrëdhëniet me Fondin, që ndihmoi në një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto me 7% në vit. Marrëveshje të tilla u përsëritën në qershor 2002 dhe shkurt 2006, gjithmonë me objektiva për t’u arritur nga qeveria me mbështetjen dhe ekspertizën e FMN.

Kështu në vitin 2009, FMN largohet nga Shqipëria e drejtuar nga kryeministri Berisha pas një programi 3-vjeçar dhe mban rolin e monitoruesit. Për t’u rikthyer sërish në 2013-ën, kur qeveria e sapoformuar e kryeministrit Rama e pa të nevojshme lidhjen e një marrëveshje për borxh prej 330 milionë eurosh, që do të ndihmonin financat publike në uljen e borxhit të lartë, që karakterizohej nga miliarda lekë në detyrime të prapambetura.

Pas përfundimit të programit në vitin 2017, qeveria zgjodhi të mos përsërisë një marrëveshje me FMN, që prej atëherë mban rolin e monitoruesit dhe këshilluesit, por pa detyruar ruajtjen e objektivave të veçanta.

E si në çdo periudhë krize, qeveria shqiptare iu drejtua edhe njëherë institucionit financiar ndërkombëtar për të financuar nevojat që lindën nga pandemia. Në fund të prillit, Fondi dha një kredi prej 190 milionë dollarësh për qeverinë shqiptare si vend anëtar i saj për të përballuar efektet e COVID-19. Tashmë edhe njëherë në pozicionin e kreditorit, qëndrimet dhe vërejtjet e misioneve të FMN marrin një rol më të fortë.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani