Milan “rrëmben” talentin norvegjez që i shënoi në Europa League

hauge

Luajti, shkëlqeu dhe madje shënoi përballë Milanit në ndeshjen e eliminatoreve të Europa Legaue, ndërsa tanimë do të kthehet në futbollistin më të ri të kuqezinjve.

Jens Peter Hauge është ylli i norvegjezëve të Bodo Glimt, i cili u “rrëmbye” menjëherë nga klubi kuqezi pas performancës së shfaqur në San Siro. Milan gjeti menjëherë akordin me klubin norvegjez, që fillimisht kërkoi 6 milionë euro, por në fund ra dakord për të lënë të lirë talentin 20-vjeçar për 4 milionë euro plus bonuset.

Pas marrëveshjes, Hauge u nis menjëherë drejt Milanos për vizitat dhe firmën.

“E falënderoj klubin për bashkëpunimin. Mezi pres të luaj përkrah Ibrahimovic. Është një futbollist që e kam admiruar gjithmonë. Është e qartë që po shkoj te një klub jashtëzakonisht i madh. Ditët e ardhshme do të jenë emocionuese, por unë ndihem gati për këtë hap”, ishin fjalët e para për aventurën e re të talentit norvegjez përpara nisjes.

Hauge do të lërë përgjysmë kampionatin vendas me Bodo Glimt, ku shënoi 14 gola dhe dha 9 asist pas 19 javësh.