Rama: Deri një ditë para tërmetit, projeksionet për ekonominë shqiptare ishin pozitive

rama 2 1100x620

Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për shtyp deklaroi se projeksionet për ekonominë shqiptare ishin pozitive, por tërmeti dhe pandemia ndikuan për ndryshimin e tyre. Kjo deklaratë vjen pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerësoi se për shkak të varësisë ndaj turizmit dhe ndaj dërgesave të emigrantëve, ekonomia shqiptare parashikohet të tkurret me rreth 7,5% në vitin 2020.

“Deri një ditë para tërmetit, projeksionet për ekonominë shqiptare ishin pozitive. Papunësia, e cila për vitin 2019 ishte më e ulëta në rajon me 11%, pritej të shkonte edhe më poshtë. Borxhi ishte në trajektore rënëse nën 65%, investimet e huaja dhe turizmi do të kishin impakt të shtuar, por gjithçka ndryshoi me tërmetin e parë dhe me tërmetin e Covid-19. Sidoqoftë, masat e marra nga qeveria në të dyja drejtimet, konferenca e donatorëve e suksesshme e Brukselit, si dhe paketat e shpëtimit në periudhën e karantinës së përgjithshme kanë ndihmuar që sot të mund të themi pa frikë se nëse mund të kishim kaluar lehtësisht në më shumë se -10% të prodhimit të përgjithshëm, presim të kufizohemi në më pak se 4,5%. Nuk është pak si parandalim”, tha Rama.

“Përpos masave të marra gjatë këtyre muajve, kemi marrë edhe masa për nxitjen e ekonomisë. Duam të ripunësojmë sa më shpejt ata që ishin në punë para pandemisë. Kemi vënë në dispozicion programet e ripunësimit dhe qëllimi është që në harkun e një viti të tejkalojmë nivelin e shkurtit të këtij viti, ku me 11% papunësi arritëm nivelin më të ulët të papunësisë që nga viti 1991”, shtoi kryeministri.