Shembja e Teatrit, Basha: Kjo qeveri urren vlerat dhe institucionet e kombit tonë

MBULIM BASHA frame 80 1100x620

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, iu rikthyer edhe njëherë çështjes së Teatrit Kombëtar në Ditën Ndërkombëtare të Trashëgimisë Kulturore.

Kryedemokrati përsëriti premtimin se Teatri i ri do të ndërtohet aty ku ishte dhe se përgjegjësit për shembjen e të vjetrit do të vihen përpara drejtësisë

“Këtë vit, Dita Ndërkombëtare e Trashëgimisë Kulturore e gjen Shqipërinë pa Teatrin Kombëtar, që u shemb nga regjimi si dëshmi e barbarisë dhe urrejtjes që kjo qeveri ushqen për vlerat dhe institucionet e kombit tonë.

Teatri Kombëtar nuk ishte thjesht një institucion i kulturës dhe një gjurmë elegante e trashëgimisë sonë. Falë rezistencës së artistëve, aktivistëve, intelektualëve dhe qytetarëve të Tiranës, ai u shndërrua në një vijë ndarëse ndërmjet regjimit dhe qytetarisë.

Rikonfirmoj angazhimin tim personal dhe të Partisë Demokratike se Teatrin Kombëtar do ta rindërtojmë siç ishte aty ku ishte dhe ata që e sulmuan dhe e shembën brutalisht do të dalin përpara drejtësisë për këtë krim të rëndë ndaj kulturës, qytetarisë dhe mënyrës sonë të jetesës”, shkruan Basha.