5 gola dhe 5 zëvendësime luksi ndaj Benevento-s, Inter i frikshëm në Serie A

Mjafton të shohësh që ka shënuar 9 gola në dy ndeshje, si dhe emrat e 5 futbollistëve që hidhen në fushë në pjesën e dytë nga Conte, për të kuptuar që Interi i këtij sezoni është i vendosur për të ndalur dominimin e Juventusit në Serie A.

Zikaltrit triumfuan 2-5 në transfertë ndaj Beneventos, e cila edhe pse arriti të realizojë dy gola nuk pati thuajse asnjë moment që mund të shpresonte në këtë ndeshje. Për skuadrën e Conte-s realizuan Lukaku 2 gola, Gagliardini, Martines, si dhe Hakimi, i cili realizoi golin e parë me fanellën e re.

Ajo që ra në sy tjetër në këtë takim ishin edhe zëvendësimet, ku në pjesën e dytë Conte hodhi në fushën e lojës Barella, Brozovic, Perisic, Martinez dhe Eriksen, 5 zëvendësime luksi, që do t’i kishin zili të gjitha skuadrat.

Kjo është fitorja e dytë në po kaq ndeshje për Interin, pas triumfit 4-3 në takimin e parë me Fiorentinën.