Akuzat e PD-së, reagon Lleshaj: Asnjë ndryshim nuk do të ndodhë me qendrat e votimit

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, reagoi në Facebook pas akuzave të Partisë Demokratike se “qeveria ka nisur operacionin për të penguar qytetarët të votojnë, duke ndryshuar vendbanimin e tyre, pa kërkesën e vetë qytetarëve”.

Sipas Lleshajt, “përfaqësues të Partisë Demokratike dhe media të caktuara nën ndikim vijojnë të mashtrojnë hapur opinionin publik, duke trilluar operacione imagjinare për kinse “pengimin e qytetarëve për të votuar” nga ana e qeverisë”.

“Në respekt të qytetarëve, që janë të detyruar të dëgjojnë në mënyrë të përsëritur këto trillime haluçinante dhe të papërgjegjshme, më duhet po ashtu që të përsëris publikisht se: asnjë ndryshim nuk po ndodh, nuk do të ndodhë dhe nuk mund të ndodhë me qendrat e votimit; Ekstrakti i parë i listave të votuesve do të publikohet më datën 5 tetor dhe çdokush do të ketë mundësinë që të shohë se qendrat e votimit nuk ndryshohen; Ngatërrimi diabolik i procesit të përditësimit apo saktësimit të adresave të qytetarëve, që kryhet në zbatim të ligjit, nuk ka asnjë lidhje me qendrat e votimit të tyre, të cilat nuk ndryshojnë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, sqaroi Lleshaj.

Ministri shtoi: “Për vëmendjen e zëdhënësve të PD më duhet të them: Nëse doni të bëni kallëzime, shkoni në prokurori. Paralajmërimet tuaja se do të bëni kallëzime janë qesharake, edhe pse në të vërtetë i bëni me qëllim presioni publik dhe intimidimi. Mos u lodhni kot me paralajmërime, thjesht shkoni në prokurori; Nëse doni të ndërtoni ndonjë alibi për rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme, mendohuni për diçka tjetër. Kjo e qendrave të votimit është thjesht një blof i dobët; Unë nuk jam si ju, ndaj as nuk më shkojnë ndërmend të bëj ato gjëra që ju aludoni dhe që i keni bërë në mënyrë sistematike vetë, kur, për fat të keq të vendit, kishit pushtetin qeverisës. Jo të gjithë janë si ju dhe, për rrjedhojë, jo të gjithë mund të bëjnë ato që ju keni bërë apo që jeni të gatshëm të bëni, po të keni mundësi; Unë jam krenar që, bashkë me stafet e ekspertëve, kemi arritur që të bëjmë me adresë rreth 300 mijë qytetarë, që ju i kishit lënë si nomadë, pa kurrfarë adrese, vetëm me një kod absurd 999 në vend të saj, të cilin e keni keqpërdorur sa herë keni dashur. Nëse shqetësoheni prej kësaj, shprehuni, por amullia juaj e preferuar nuk mund të mbijetojë përjetësisht; Përpara se t’u referoheni platformave mediatike nën dyshim publik, mundohuni të informoheni pranë institucioneve zyrtare, se aty do të gjeni të vërtetën e plotë”.