Alibeaj: Zbulohet skema e manipulimit të Edi Ramës me listat e votuesve

alibeaj 1 1100x620

Enkelejd Alibeaj është shprehur se “afrimi i datës së zgjedhjeve ka shtuar përpjekjet e dëshpëruara të Edi Ramës për të manipuluar vullnetin e qytetarëve”, duke iu referuar gjetjeve të një emisioni investigativ. Sipas Alibeajt janë transmetuar “prova të pakundërshtueshme, dëshmi qytetarësh se qeveria ka nisur operacionin për të penguar qytetarët të votojnë, duke ndryshuar vendbanimin e tyre, pa kërkesën e vetë qytetarëve”.

“Kjo është një shkelje e hapur e ligjit për gjendjen civile, është shkelje e hapur e Kushtetutës dhe e të drejtës për të votuar. Përgjegjës direkt për veprime konkrete janë Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj dhe çdo nëpunës që ata kanë urdhëruar të shkelin ligjin dhe të përfshihen në këtë operacion manipulimi. Familje të tëra, të cilat për shumë vjet kanë qenë të regjistruar në një vend të caktuar, zhvendosen në njësi administrative të tjera apo, siç tregojnë dëshmitë, deri edhe në qytete të tjera. Madje pjesëtarë të së njëjtës familje, të të njëtit trung familjar, shpërndahen duke i vendosur në qytete të ndryshme, të largëta nga njëri-tjetri, pa kurrfarë shkaku apo arsye”, tha Alibeaj.

“Zhvendosja masive e gjendjes civile, shpërndarja e anëtarëve të së njëjtës familje në zyra të gjendjes civile të qyteteve të ndryshme, është një makinacion për t’u pamundësuar këtyre qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e 25 prillit. Duke marrë për bazë listat e atyre që votuan në 2019-n, manipulimi i Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt synon që ata qytetarë që nuk votuan në 2019-n dhe refuzuan farsën e 2019-s, të dekurajohen, t’u vështirësohet e derisa t’iu pamundësohet e drejta e votimit në zgjedhjet e afërta. Plani i dëshpëruar i Edi Ramës për të ndryshuar fitoren e Partisë Demokratike dhe të qytetarëve në zgjedhje ka 5 drejtime kryesore: Po ndryshon në mënyrë të njëanshme rregullat e garës elektorale, duke ndryshuar Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor; shpërndau formularët tek administrata për t’u marrë kujt të mundet kartat e identitetit; po manipulon listat e votuesve, duke zhvendosur qytetarët në mënyrë arbitrate, pa kërkesën e tyre; po merr në punë mijëra persona me kontratë të përkohshme; po kërkon ndihmën e bandave dhe trafikantëve të drogës”, shtoi Alibeaj.