Guxholli: Optimizmi “eksitant” i qeverisë për ekonominë, hapje e fushatës elektorale

Zana Guxholli 1100x620

Për eksperten e ekonomisë, Zana Guxholli, e cila ishte e ftuar në A2 Business Week përballë ministres së Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj, premtimet e qeverisë për ekonominë në këtë situatë janë vetëm hapje e fushatës elektorale.

“Niveli i të ardhurave që konsiderohet për këtë buxhet ka të bëjë shumë me tkurrjen ekonomike të Shqipërisë. Nëse buxheti është bërë për një tkurrje -7,5%, ai do të jetë krejt ndryshe nga një buxhet i bërë sipas shifrës së kryeministrit 4,5%. Si gjithmonë mungon transparenca. Ministria e Financave nuk ka mundur të luajë rolin që duhet të bënte, pavarësisht se e ka vënë theksin teorikisht sa i përket monitorimit, madje ka krijuar edhe një njësi monitorimi, por, me diplomaci, FMN thotë se ministria nuk është lejuar nga qeveria ta plotësojë këtë detyrim. Madje, ministria nuk ka mundur as të zbatojë kuadrin ligjor të vendimeve të marra. Qeveria duhet të reflektojë për të gjitha vërejtjet dhe analizën që i bën FMN.

Përtej efektit të tërmetit, përtej pandemisë, janë një sërë të metash që nuk shfaqen për 5-6 muajsh, por pasojë e keqmenaxhimi disavjeçar. Ekonomia shqiptare është e brishtë. Një gjë që nuk u bë dot në 7 vjet nuk mund të bëhet në 7 muaj dhe ta mendojmë që kemi zgjedhje elektorale. Të tëra këto premtime dhe optimizmi eksitant që paraqet qeveria janë hapje e fushatës elektorale. Besoj i kanë dëgjuar dhe nuk mund t’i besojnë dot sepse performanca tregon ndryshe”.

Ministrja Denaj ndërhyri duke kujtuar se të ardhurat mbi produktin e brendshëm bruto janë rritur me 5% krahasuar me vitin 2012. “Në vitin 2012 të ardhurat mbi produktin e brendshëm bruto ishin 22,5%, janë 27,5% nuk janë mjaftueshëm, por janë 5%+. Këtë e kemi bërë duke ulur edhe taksat. Ky është keqadministrimi? Do të shkojmë te 30%. Miradministrimi fiskal është një nga elementet kyçe”.