Opozita bojkoton Komisionin për Kodin Zgjedhor: Të pritet drafti i PD-LSI

Opozita parlamentare bojkotoi mbledhjen e Komisionit të Ligjeve ku diskutohej nen për nen Kodi Zgjedhor. Deputetët e pakicës kërkuan që asnjë hap të mos hidhej në këtë drejtim për aq kohë sa Këshilli Politik nuk kishte diskutuar ende për propozimin e PD-së për listat e hapura.

Në mungesë kuorumi, mazhoranca nuk mundi të vazhdojë mbledhjen, ndërsa opozitarët e parlamentit deklaruan hapur votën pro propozimit të PD-LSI për listat e deputetëve të renditura sipas alfabetit dhe jo vullnetit të kryetarit.

Këshilli Politik mblidhet të enjten, në të njëjtën ditë kur Kodi Zgjedhor duhej të votohej në seancë plenare, e cila më pas u anulua për shkak edhe të presionit ndërkombëtar që vijon të insistojë në gjetjen e një dakordësie për Kodin Zgjedhor.