Luftë në Kaukaz, Azerbajxhani dhe Armenia refuzojnë të ulen në tavolinë

Komuniteti ndërkombëtar nuk po arrin të ulë në tavolinë të përbashkët dy liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit, që prej ditësh po përballen ushtarakisht për zonën e Nagorno Karakh.

Presidenti azerbajxhanas, Ilham Aliyev, duke folur për televizionin shtetëror rus ka përjashtuar çdo mundësi bisedimesh midis Bakusë dhe Jerevanit. Kjo ishte e vetmja pikë ku edhe kryeministri armen, Nikol Pashinyan, ishte dakord me liderin kundërshtar.

Ndërkohë, shtohen orë pas ore humbjet civile që i shtohen atyre ushtarake. Sipas burimeve, viktimat e pakonfirmuara mund të kenë kaluar qindra persona.

Mbledhja e djeshme, e Këshillit të Sigurisë së OKB-së, shprehu shqetësimin e fuqive të mëdha për situatën, që mund të ketë efekt domino në të gjithë Kaukazin.    

Një hipotezë tejet e rrezikshme në një zonë me dhjetëra konflikte të heshtura dhe që ndizet edhe më shumë nga lajmi i përhapur nga autoritetet armene, që dje deklaruan se një avion Su-26 i tyre u rrëzua nga një F-16 turk që po kalonte në hapësirën armene, duke shkaktuar vdekjen e pilotit.