Pandemia koronavirus, Gjermania kërkon të shmangë një izolim të dytë

Gjermania kërkon të shmangë një izolim total të ri kombëtar me çdo kusht. Ky është qëndrimi i qeverisë së kancelares, Angela Merkel, që udhëzoi institucionet shëndetësore që të gjurmojnë dhe ndërpresin zinxhirin e infeksionit në nivele lokale.

Liderja gjermane gjatë një ndërhyrje në Bundestag u bëri thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, ndërsa paralajmëroi se vendin e presin muaj tepër të vështirë me pandeminë koronavirus.

 “Tani me ardhjen e vjeshtës, një fazë e vështirë na pret. Muajt më të vështirë të vitit janë para nesh. Numri i rasteve me COVID-19 është në rritje”, tha kancelarja.

Në përgatitje për valën e dytë të infeksionit, Merkel nënvizoi se do të merren disa masa.

“Do të modernizojmë spitalet. Do të investojmë në trajtime emergjente moderne dhe infrastrukturë më të mirë digjitale. Do të reduktojmë varësinë tonë në disa lloje produktesh mjekësore, diçka të cilën e mësuam teksa kërkonim furnizime si dhe do të mbështesim prodhimin kombëtar dhe Europian”, deklaroi ajo.

Merkel i tha Parlamentit gjerman se çdo person i botës duhet ta ketë mundësinë e vaksinimit, sapo kjo të jetë e disponueshme. Kancelarja shtoi se për këtë do të bashkëpunojë me vendet e zhvilluara.