“Play-off” i Europa League, Tirana beson te mrekullia përballë Young Boys

90 minuta për të realizuar arritjen më të madhe në arenën ndërkombëtare. Tirana beson përpara sfidës ndaj Young Boys në “play-off”. Suksesi do të vlejë biletën në fazën e grupeve të Europa League.

Trajneri i Tiranës, Emmanuel Egbo, u shpreh: “Do jetë ndeshje që duhet ta shijojmë dhe të japim maksimumin. Të provojmë fatin tonë në fushë dhe të marrim atë që na takon. Sigurisht që kundërshtari është i favorizuar. Nuk jemi në presion, janë ata që janë në presion. Në letër janë më të mirë se ne. Do të shkojmë atje për të dhënë maksimumin nga vetja. Kemi shanset 50% me 50% për t’u kualifikuar. Duhet të përfitojmë nga gabimet e tyre për ta fituar ndeshjen”.

Trajneri foli edhe për largimin e kapitenit Gentian Muça, i cili pasi humbi fanelën e titullarit, vendosi të vazhdojë karrierën te Prishtina në Superligën e Kosovës: “Futbolli kështu e ka. Një trajner në Nigeri më ka thënë: 20 futbollistë nuk mund të luajnë bashkë për 20 vjet. Ai iku në mënyrë paqësore. Vendosi vetë rrugën. I urojmë fat”.

Ndeshja Young Boys-Tirana do të luhet këtë të enjte në orën 20:30, në “Stadion Wankdorf” të Bernës, në Zvicër.