Rritja e pagës minimale, Shoqata e Biznesit në Kukës: Mund të nxisë skema manipulative

Rritja e pagës minimale  deri në 30 mijë lekë te reja siç u njoftua nga kryeministri Edi Rama, ditë më parë, nuk është mirëpritur me aq entuziazëm nga shoqata ”Biznesi për Biznesin” në qytetin e Kukësit.

Përfaqësuesi i kësaj shoqate, Sokol Kolgjini,  shprehet se kjo rritje, ndonëse mund të shikohet si diçka pozitive veçanërisht për punëmarrësin, mund të krijojë skema manipulative në ato biznese që janë të pamundura për t’iu përgjigjur nivelit të pagës minimale, e cila natyrisht do të shoqërohet edhe me rritje të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore.

Edhe me pagën minimale aktuale e cila është 26 mijë lekë të reja, ka punonjës që edhe pse për efekt të ardhjes se kontributeve shoqërore e kanë të deklaruar pagën minimale, por në dorë marrin më pak, pasi firmat i detyrojnë të kthejnë një pjesë të rrogës, duke shfrytëzuar nivelin e madh të papunësisë dhe faktin që në Kukës, sektorët e vetëm që mund të punësojnë janë administratat publike dhe minierat.