Trump dhe Biden, lumë ofendimesh në debatin kaotik

Debati i parë televiziv mes kandidatëve për president në SHBA u mbyll në kaos, mes ofendimesh të vazhdueshme dhe ndërprerjesh të shpeshta. Të dy kandidatët që në fillim nuk i dhanë dorën njëri-tjetrit si masë parandaluese e pandemisë.

“Të gjithë e dinë që Trump është një klloun dhe një gënjeshtar”, tha 77-vjeçari, Joe Biden, në pjesën e parë të debatit. Më pas, vijoi: “Ti je presidenti më i keq që ka parë ndonjëherë Amerika”.

Përgjigjja e Trump pritej: “Ndërsa tek ti nuk ka asgjë inteligjente. Je një kukull e komanduar nga e majta radikale”.

Në skenën e Case Western Reserve University të Klivland, në Ohajo, dy kandidatët për Shtëpinë e Bardhë nuk i dhanë asgjë zgjedhësve të zonës gri, që përpiqen të gjejnë një motiv pse duhet t’i drejtohen kutive të votimit.

96 minutat e debatit u identifikuan nga një lumë ofezash e ndërprerjesh, sikurse nuk ndodhte kurrë në një debat të tillë. Zhurmnaja që u krijua në transmetim bëri që moderatorit Chris Wallace t’i rrëshqiste situata nga duart disa herë, teksa ngriti zërin kryesisht ndaj Trump për respektim të rregullave që kishin rënë dakord palët që në fillim.