Zgjedhjet në SHBA, më shumë se 1,2 milionë amerikanë kanë votuar tashmë

zgjedhjet amerikane 1 2 milione kane votuar 1100x620

Më shumë se 1,2 milionë amerikanë kanë votuar tashmë për të zgjedhur presidentin amerikan, kur duhet edhe një muaj nga data zyrtare e zgjedhjeve, në 3 nëntor, pa pritur të mbaronte as debati i parë mes Donald Trump dhe Joe Biden.

CNN raporton se thuajse 800 mijë vota janë hedhur në shtetet ku vlerësohet se gara do të jetë më e nxehtë. Vetëm në Karolinën e Jugut dhe Uiskonsin kanë votuar mbi 500 mijë persona, rreth çereku i atyre që kanë kërkuar një fletë votimi.

Shifrat tregojnë se amerikanët janë bindur se për cilin prej kandidatëve do të votojnë dhe nuk duan që vota e tyre të vonohet për shkak të postës. Megjithatë, këto vota janë një pjesë e vogël e totalit të votave që dy kandidatët do të marrin. Në zgjedhjet e vitit 2016 votuan 130 milionë persona në total.

Ndryshe nga herët e tjera, këtë vit një pjesë e mirë e amerikanëve do të votojnë me postë, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Deri tani, 30 milionë fletë votimi janë kërkuar për t’u plotësuar e dërguar me postë, ndërsa 43 milionë të tjera mendohet të dërgohen. Sipas statistikave të deritanishme në 11 shtete, 6,5 milionë votues të regjistruar si demokratë kanë kërkuar fletën e votimit, ndërsa 3,8 milionë ishin republikanë. Por ky nuk është tregues i rezultatit përfundimtar, sidomos duke marrë parasysh faktin që mbështetësit e Trump parapëlqejnë të votojnë fizikisht në ditën e zgjedhjeve.