Apeli i Metës në Ditën e të Moshuarve: Rritje të menjëhershme të pensioneve

META 1100x620

“Rritje të menjëhershme të pensioneve dhe ndihmë ekonomike për përballimin e kostove të jetesës për të moshuarit nëpërmjet masave konkrete që ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme”. Është ky apeli i presidentit Meta në Ditën Botërore të të Moshuarve.

Në mesazhin e tij, kreu i shtetit thekson se të moshuarit janë sot të braktisur nga shteti, pasi të ardhurat e tyre janë të papërfillshme në raport me nevojat dhe sëmundshmërinë.

“Trajtimi me pensione të ulëta dhe indeksimet minimale, e bëjnë ende të papërballueshme jetesën e tyre në raport me çmimet e tregut dhe kostot e jetesës ndër më të lartat në rajon, aq sa të ardhurat mujore, nuk iu mjaftojnë as për të paguar ilaçet, energjinë elektrike dhe ujin”.

Sipas Metës, drama më e madhe që po përjetojnë të moshuarit dhe që kërkon zgjidhje të mënjëhershme, është vetmia prej shpopullimit.

“Braktisja, vijon të jetë gjithashtu një plagë e rëndë. Vetmia që përjeton kjo kategori prej shpopullimit, dramës së madhe të popullit tonë dhe familjes shqiptare në vitet e fundit, është e papranueshme dhe kërkon një zgjidhje të menjëhershme duke rikthyer shpresën në radhë të parë për fëmijët e tyre për të ndërtuar të ardhmen në vendin tonë dhe pranë familjeve”.

Presidenti apelon se është koha për të kthyer në veprim shërbimin me përulje dhe vlerësimin e merituar ndaj tyre.