Basha akuza qeverisë: I hoqi bujqësisë 1.8 milionë dollarë për inceneratorët

Nga Durrësi ku po vijon takimet me bizneset, kreu demokrat Lulzim Basha, akuzoi qeverinë se i ka hequr bujqësisë 1.8 milionë dollarë, me vendim të Këshillit të Ministrave, të cilat kanë shkuar tek inceneratorët.

“Ju e dini, afera korruptive e inceneratorëve, u kushton shqiptarëve qindra milionë euro. Qeveria ka para. Dje i hoqi bujqësisë 1.8 milionë dollarë për t’ia dhënë aferës mafioze të inceneratorëve. Ky vendim i marrë mbrëmë nga Edi Rama në kulmin e krizës ekonomike, është kriminal, hajdutëri në kohën e pandemisë, i çon paratë te një grusht klientësh të mafias së plehrave”, deklaroi Basha.

Sipas tij këto para duhet të shkojnë në masat që PD-ja i ka propozuar qeverisë si; ndihma për të papunët, dyfishimi i ndihmës ekonomike, çek 1 mijë euro për biznesin, ndihmë për arsimin e shëndetësinë.

Për kreun e selisë blu, plani me 5 pika kundër krizës, ndihmon në rritjen e konsumit, parandalon falimentimin e bizneseve dhe duhet zbatuar menjëherë.

Çdo ditë që humbet kohë duke bërë retorikë e duke treguar çfarë kemi bërë apo çfarë s’kemi bërë para 6 muajsh, siç po bën qeveria, është një ditë që i rëndon më shumë xhepat e shqiptarëve dhe tavolinat e shqiptarëve, është një ditë që shtrëngon më shumë lakun në qafën e sipërmarrjes shqiptare”, përfundoi kreu demokrat.