“Biden është i dobët”, Trump: Demokratët kërkojnë anulimin e debateve

Kandidatët për zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe Joe Biden vijuan me sulme të ndërsjella edhe pas debatit të së martës.

Demokrati tha se Trump nuk e meriton të jetë president, ndërsa kreu i Shtëpisë së Bardhë akuzoi demokratët se po kërkojnë të anulojnë debatet e tjera televizive.

“Isha në debat me dy persona. Joe Biden është shumë i dobët për të drejtuar këtë vend. Biden humbi shumë keq dhe mbështetësit e tij po thonë se duhet të anulohen debatet e tjera televizive. Tani, besoj se ai do t’i anulojë debatet, por të shohim çdo të ndodhë. Mendoj se nuk do të jetë një lëvizje shumë e mirë për të”, u shpreh presidenti Trump.

Ndërsa Joe Biden u shpreh: “Ai mendon se nëse bërtet më fort, gënjeshtër pas gënjeshtre, do të dalë e tija. Mendon se ne harrojmë. Ke zgjedhur njeriun e gabuar. Unë nuk harroj. Ai e dinte se sa serioze ishte kjo pandemi. E dinte se sa shpejt përhapej dhe se do të vriste mijëra njerëz. Por nuk na tha një fjalë të vetme. E mbajti sekret sepse ishte më i shqetësuar për kolapsin e tregjeve të bursave se sa për më shumë se 200 mijë personat që kanë vdekur. Ai nuk tha asnjë fjalë. Rreth 30 milionë janë të papunë. Mendon se do të harrojmë arsyen pse bizneset dhe shkollat janë të mbyllura, pasi ai nuk mori asnjë përgjegjësi. Është një dështim i plotë”, deklaroi Biden.