“Dhimbje që nuk e kemi përjetuar kurrë më parë”, Chrissy Teigen dhe John Legend humbin fëmijën

1 3 1100x620

Supermodelja Chrissy Teigen dhe këngëtari John Legend, kanë humbur fëmijën e tyre të tretë.

Përmes disa postimeve në rrjete sociale, çifti shpjegoi se pavarësisht transfuzioneve të gjakut, bebi nuk ishte në gjendje të merrte lëngjet e nevojshme.

“Jemi të tronditur dhe në një dhimbje të tillë, të cilën nuk e kemi përjetuar kurrë më parë. Nuk ishim në gjendje të ndalonim gjakderdhjen dhe t’i jepnim bebit lëngjet e nevojshme që i duheshin, pavarësisht transfuzioneve të gjakut. Thjesht nuk mjaftonte.

Ne nuk i kemi vendosur kurrë emrat e fëmijëve deri në momentin që kanë ardhur në jetë. Por, për disa arsye, kishim nisur ta quanim djalin tonë të vogël Jack. Kështu, ai do të jetë gjithmonë Jack për ne. Jack u mundua kaq shumë që të ishte pjesë e familjes sonë dhe do të jetë, përgjithmonë.

Për Jackun tonë të vogël – më vjen keq që në momentet e para të jetës tënde u takuam me kaq shumë probleme, sa që nuk mund të të jepnim shtëpinë që të duhej për të mbijetuar. Do të të duam gjithmonë”, shkruan Teigen krahas disa fotografive në spital.

Lajmi i trishtë vjen vetëm pak ditë pasi modelja bëri publike në rrjete sociale problemet e shtatzënisë.

Teigen u shpreh se placenta e saj ishte shumë e dobët dhe pranoi se ka qenë në spital pasi situata e hemorragjisë sa vinte e përkeqësohej.

Jack do të ishte fëmija i tretë i çiftit. Ata janë prindër të një vajze 4-vjeçare, Luna Simone dhe një djali 2-vjeçar, Miles Theodore, të dy të ngjizur përmes fekondimit in vitro.

Por kjo shtatzëni ndodhi natyrshëm, diçka që më herët dukej e pamundur për Teigen.