Europa League, kualifikimi i Tiranës vlen miliona euro

tirana 1100x620

90 minuta për historinë. Sfida e Tiranës në “play off” të Europa League mund të jetë një moment i shënuar për bardheblutë. Në lojë është kualifikimi i parë historik në një turne madhor.

Përballë Young Boys, kampionët e Shqipërisë luajnë gjithçka për gjithçka. Jo thjesht për arritjen më të madhe në arenën ndërkombëtare, por edhe për të ardhurat e klubit dhe vazhdimësinë e projektit.

Deri më tani, Tirana ka përfituar 920 mijë euro nga turret në Champions dhe Europa League. Në rast eliminimi në “play off”, bardheblutë do të përfitojnë 300 mijë euro, si çmim ngushëllimi për pjesëmarrjen, duke i çuar përfitimet në 1,22 milionë euro.

Kualifikimi do t’i sillte bilanceve të klubit një total prej 2 milionë e 920 mijë euro. Një shifër e jashtëzakonshme, duke vlerësuar buxhetin e klubeve shqiptare. Kuota do të rritej në bazë të rezultateve në fazën e grupeve, ku çdo fitore shpërblehet me 570 mijë euro dhe çdo barazim me 190 mijë euro.

Europa League do të jetë një minierë ari për Tiranën, me shpresën te kualiteti i lojtarëve si Batha, Torasa, Kale e Cobbinah dhe talenti i Bekajt, që pritet të debutojë në portë, Çelhakës dhe sulmuesit Muçi.