Lihet në fuqi masa arrest shtëpie për Mimoza Margjekën, përplasje me policinë pas seancës: Ky shtet nuk bëhet

margjeka 2 1100x620

Gjykata e Posaçme la në fuqi masën “arrest shtëpie” për Mimoza Margjekën, gjyqtaren e Apelit të Korçës, e cila akuzohet se ka marrë një shumë prej 6 mijë eurosh për të nxjerrë nga burgu një person, i cili akuzohet për trafik klandestinësh.

Pasi doli nga salla, Margjeka pati një përplasje me policinë, që nuk donte ta lejonte gjyqtaren që të fliste me mediat në ambientet e jashtme të gjykatës.

“Po goditem politikisht. Ky shtet nuk bëhet. Në burg shkojnë vetëm ata që i dalin përballë shtetit. Turp të keni, shtet kriminal dhe mafioz”, tha Margjeka.

Margjeka kundërshtoi masën e sigurisë arrest shtëpie në Gjykatën e Posaçme të Apelit, pasi, sipas saj, nuk ka asnjë provë dhe kërkoi që seanca të zhvillohej me dyer të hapura.

Para nisjes së seancës, gjyqtarja Margjeka këmbënguli para gazetarëve që ishte e pafajshme. Sipas saj ajo është sulmuar politikisht, pasi nuk ka dhënë mandatin e kryebashkiakes së Durrësit në zgjedhjet e 30 qershorit.