Jeta e përkthyesit shqiptar në një gjykatë franceze: Jam mes 2 zjarresh

Ervin Lami 1100x620

Ervin Lami është një shqiptar që punon si përkthyes në një mjedis gjyqësor në Clermont-Ferrand të Francës, që nga viti 2012.

“Lamontagne” e ka intervistuar 34-vjeçarin që jeton atje prej vitit 2011, kur mbërriti në Francë, pasi kishte studiuar më parë në Itali.

Në fillim, ai donte të ishte një mësues i gjuhës franceze, por pasioni për sistemin gjyqësor rritej gjithnjë e më shumë, derisa më pas ai studioi për drejtësi dhe u specializua. Sot, Lami është përkthyes dhe njëkohësisht jep kurse gjuhe në Universitetin e Auvergne.

Momentalisht, ai është betuar në Gjykatën e Apelit në Riom, ku është përkthyesi zyrtar që kërkohet vazhdimisht, pasi njihet për profesionalizëm dhe paanshmëri, ndërsa përfaqëson shtetasit e Shqipërisë, Kosovës dhe Italisë.

Në raste të rralla ai telefonohet nga xhandarët për të marrë pjesë në arrestimet e personave të këtyre kombësive, pasi duhet të përkthejë bisedat mes oficerëve dhe të akuzuarit, sapo të bëhet arrestimi. “Shumicën e kohës, ne thirremi në xhandarmëri ose në stacionin e policisë, pasi të ketë ndodhur arrestimi.

Përkthyesi i gjykatës ndërhyn gjatë gjithë procedurës. Nga paraburgimi në një aktakuzë të mundshme para gjyqtarit, përfshirë kontrollet, ai merr pjesë në të gjitha bisedat. Përkthyesi gjithashtu ndërhyn gjatë gjykimeve penale ose vlerëson situatën dhe mund të shkojë në burg kur një i paraburgosur dëgjohet në lidhje me një çështje në vazhdim.

“Jam në një pozicion delikat midis oficerëve të policisë gjyqësore, avokatëve dhe të dyshuarve, pasi jam atje për të shpjeguar se çfarë po ndodh. Nëse i dyshuari nuk i kupton pyetjet që bëhen, mund të ketë një të metë procedural”, rrëfen 34-vjeçari.

Më tej, vjen edhe pjesa më interesante e bisedës, kur ai shprehet se “Duhet të mbajmë një detyrë me neutralitet absolut. Nuk duhet t’i dorëzohemi tundimit për të ndihmuar një bashkatdhetar që ndodhet në situatë të vështirë. Unë gjithmonë ndihem mes 2 zjarreve, por duhet të jesh sa më i paanshëm. I shpjegoj të pandehurit se nuk jam këtu për ta mbrojtur atë si avokat, por vetëm për ta ndihmuar atë të shprehet. Unë jam goja e tij dhe asgjë tjetër. Ndonjëherë është shumë e komplikuar kur përballem me një të ri që nuk ka asnjë pikë tjetër referimi përveç përkthyesit që flet të njëjtën gjuhë me të”.

Media franceze që ka realizuar këtë intervistë shkruan gjithashtu në artikull se në Clermont-Ferrand, “sektori shqiptar” është i njohur për policinë për trafik droge, veçanërisht atë të heroinës. Rregullisht, policia bën arrestime dhe shumë dënime i shtohen gjykatës penale.

Një lidhje ka funksionuar për disa vite midis qytetit shqiptar të Shkodrës dhe kryeqytetit të Auvergnës. Ndërsa përkthyesi Lami, për këtë pjesë shprehet se: “një pjesë e vogël e shqiptarëve janë të përfshirë në trafikim. Mendoj se bëhet fjalë vetëm për 10% të komuniteti shqiptar që jeton këtu. Pjesa tjetër janë punëtorë në profesione të ndryshme, që i fitojnë paratë me djersë”.