Mbledhja Shqipëri-Kosovë, Barbullushi: 14 marrëveshje të reja, vlerësim për të kaluarat

“Bashkë pa kufij, në një rajon pa kufij.” Kjo është motoja që do të ulë në tryezë dy qeveritë shqiptare të premten.

Në Pallatin e Kongreseve, po i jepet dora e fundit rregullimeve të hollit ku do të jetë mbledhja, e zhvendosur nga Shkodra në Tiranë, për shkak të hapësirës dhe logjistikës në kohën e Covid-19. Përgatitjet i ndjek, Odeta Barbullushi, këshilltare e kryeministrit për çështjet e rajonit, që tregon për A2 CNN, më shumë detaje për marrëveshjet që do të firmosen.

“Janë në fakt, 14 dokumente, nga të cilat 6 janë marrëveshje, pjesa tjetër janë protokolle zbatimi dhe 4 memorandume bashkëpunimi mes dy vendeve”, shprehet Barbullushi.

Vëmendjen kryesore pritet ta rrëmbejnë dy nisma.

“Zbatimi i lehtësirave doganore të qarkullimit të mallrave dhe tranzitit të mallrave në dy vendet tona. Momenti i dytë po aq i rëndësishëm është aspekti infrastruktor. Bashkëpunimi në fushën e ndërlidhjes hekurudhore dhe këtu do shihet mundësia, si për sa I përket shfrytëzimit më të mirë dhe bashkëpunimit për transportin hekurudhor, por në një të ardhme dhe mundësitë për një ndërlidhje hekurudhore mes dy vendeve.”

Por në 44 marrëveshje dhe memorandume të firmosura në 5 mbledhjet e para, në pjesën dërrmuese të tyre firma është tharë pa u vënë asnjë ditë në zbatim.

Për Barbullushin kjo nuk është mungesë vullneti politik por njehsimi i bazës ligjore për të dyja vendet merr kohë. Mbledhja e së premtes pritet të shërbejë edhe si një lloj testimi për marrëveshjet që kanë mbetur në letër.

“Mendoj që do të jetë në fakt një moment edhe vlerësimi, që ne kemi mbërritur në një pike, prej gjashtë vitesh bashkëpunim strategjik, ku ne mund të vlerësojmë se çfarë ka shkuar mirë, cila janë praktikat më të mira, cilat marrëveshje kanë funksionuar dhe cilat kërkojnë të rregullohen, të modifikojmë disa prej mënyrës së operimit mes stafeve dhe administrative tona”, thotë Barbullushi.

Mbledhja e dy qeverive në Tiranë është e gjashta në rradhë dhe vjen në kuadër të “deklaratës për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”.