Mbledhjet Shqipëri-Kosovë 2014-2020, rrugëtimi i firmëtarëve nga Prizreni në Tiranë

U desh të kalonin 136 vjet nga Lidhja e Prizrenit që shqiptarët të kuvendonin përsëri të bashkuar, në Prizren edhe këtë herë.

Më 11 janar 2014, qeveritë e dy shteteve shqiptare në rajon, Shqipërisë dhe Kosovën, zhvilluan mbledhjen e parë të përbashkët.

Edi Rama është firmëtari i të gjitha marrëveshjeve për palën shqiptare, ndërsa në krah të tij, kanë ndryshuar disa bashkëudhëtarë.

Vëllezër i ka quajtur të gjithë, por sintonia e Edi Ramës me Hashim Thaçin ishte çfarë i afrohej më shumë një marrëdhëniejeje vëllazërore. Edhe kjo marrëdhënie ka qejfmbetjet e veta. Futja mes tyre e shengenit ballkanik solli rezonimin në dy valë të ndryshme politike mes Ramës dhe Thaçit.

Me kalimin e Isa Mustafës në krye të qeverisë së Prishtinës vijoi boja e hedhur mbi të tjera marrëveshje dypalëshe. Përtej firmave, marrëdhënia e tij me Edi Ramën rezultoi gjithmonë brenda kornizave gati monotone të korrektësisë reciproke.

Kur Ramush Haradinaj u bë kryeministër i Kosovës dy shefat e qeverive nuk i kursyen notat e zjarrta patriotike. Rama nuk hezitoi të prishte gjuhën ndërkombëtare, për të mbrojtur mikun e tij nga presioni për taksën 100% që Haradinaj kishte vendosur me Serbinë.

Shfaqja e Ramës në skenën ndërkombëtare me rolin e vëllait të madh lidhur me demarkacionin me Malin e Zi, nisi të mos gëlltitej në Prishtinë.

Edhe ndryshimi i qëndrimit të Tiranës për të hequr taksën 100% për mallrat serbe, më pranë Thaçit dhe presionit ndërkombëtar, nuk bënë tjetër veçse nxehën gjakrat mes dy liderëve shqiptare.

Me bashkëfirmëtarin e mbledhjes së tretë të dy qeverive, Edi Rama e përshkallëzoi edhe më shumë debatin për shengenin ballkanik. Si rrallë herë, Haradinaj ishte në një mendje me Thaçin për ta refuzuar propozimin e Ramës, për shkak të mos njohjes së Kosovës nga Beogradi.

Debati tjetër për kufirin me Serbinë kaloi fillimisht në akuza për tradhti e më pas ne padi për shpifje. Po nga kosova, kryeministri Rama e tërhoqi. Jetëgjatësia e shkurtër kryeministrore e Albin Kurtit nuk e lejoi të shtonte koleksionin e marrëveshjeve të firmosura në mbledhjet e përbashkëta mes dy vendeve. Por kreu i Vetëvendosjes i kishte idetë e qartë për to, që mbrëmjen e parë kur sapo kishte shpallur fitoren.

Avdullah Hoti do të jetë firmëtari i radhës. Atij do t’i duhet të kalojë nga marrëveshjet në Shtëpinë e Bardhë me Donald Trump te ato në Pallatin e Kongreseve me Edi Ramën. Por, edhe ai po vjen në Tiranë duke ruajtur idenë e Albin Kurtit.

I tërhequr nga deklaratat e zëshme politike apo patriotike, Edi Rama ka treguar ndaj tij mirëpritjen për mbledhjen e së premtes në Tiranë.

Mbetet për t’u parë pas zgjedhjeve të 25 prillit, nëse mbledhjet e përbashkëta të qeverive do të vazhdojnë. Firma e Edi Ramës si kryeministër është në duart e rotacionit politik, ndërsa matanë kufirit rotacionin tashmë e kanë kthyer në rutinë.