Mbrojtja nga gripi në pandemi, të parët vaksinohen mjekët, vijon me mësuesit dhe grupet e riskut

Janë çdo ditë në kontakt me pacientët e prekur nga koronavirusi dhe veç masave ndaj virusit duhet të mbrohen edhe nga gripi.

Këtë vit, fushata e vaksinimit kundër gripit të stinës nisi nga mjekët dhe infermierët.

“Bëra vaksinën e gripit meqë jam më e rrezikuar, pasi unë u shërbej pacientëve me koronavirus”, shprehet një infermiere.

“Nevojitet imunizimi i të gjithë popullatës, veçanërisht personeli mjekësor, i cili është më i rrezikuari”, shprehet një tjetër infermiere.

Pas punonjësve të shëndetësisë do të nisë faza e dytë e vaksinimit. Qendrat shëndetësore kanë hartuar listat e personave që do të përfitojnë falas vaksinën katër valente kundër gripit.

Përjashtim nuk do të bëjnë as të shëruarit nga koronavirusi. Në pritje të rendimit të situatës në dimër për shkak të qarkullimit të koronavirusit dhe gripit, për herë të parë mjekët e rekomandojnë kryerjen e vaksinës nga e gjithë popullata.

Ministria e Shëndetësisë ka porositur rreth 360 mijë doza vaksine kundër gripit. Kërkesat e mëdha nga të gjithë shtetet për vaksinën e gripit, këtë vit pritet të shkaktojnë mungesa në tregun privat.