Një masakër e ndodhur 2300 vite më parë

Arkeologët kanë zbuluar dëshmitë e një masakre të ndodhur në Epokën e Hekurit, të ngrirë në kohë për mijëra vite deri më sot. Qyteti i lashtë La Hoya në krahinën autonome Baske në veri të Spanjës, u zbulua fillimisht në vitin 1935, ndërsa gërmimet e para nisën në vitin 1973.

Së fundmi, arkeologët mësuan se qyteti u shkatërrua plotësisht nga një sulm i ndodhur mes viteve 350-200 p.e.s. Vendbanimi mbeti i shkretë dhe ata që vdiqën gjatë masakrës mbetën aty, deri sa nisën gërmimet.

Me shpresën se do të gjenin më tepër informacion mbi sulmin, kërkuesit nga Universiteti i Oksfordit dhe një skuadër arkoelogësh nga Mbretëria e Bashkuar dhe Spanja nisën të studionin 13 skelete të nxjerrë nga gërmimi. Mes të vdekurve kishte burra, gra e fëmijë. “Një mashkull kishte pësuar dëmtime të mëdha në trup, çka tregon se është përleshur me agresorin”, tha Teresa Fernández-Crespo, kryesuesja e skuadrës kërkimore,. “Këtij individi iu pre koka, por kafka nuk është gjetur dhe ndoshta mund edhe të jetë marrë si trofe”. Një burrë tjetër është goditur me thikë nga pas, ndërsa një çifti u janë prerë duart, thotë studimi, i publikuar të enjten në revistën “Lashtësia”.

“Nga dëshmitë e mbledhura mund të dalim në përfundimin se qyteti është sulmuar për t’u shkatërruar plotësisht”, thanë kërkuesit në një deklaratë. Sulmi, sipas tyre, mund të jetë motivuar nga pozicioni strategjik i La Hoya-s, i vendosur mes brigjeve të Atlantikut dhe Mesdheut. Ekspertët besojnë se ai vendbanim ka qenë qendër e aktiviteteve shoqërore, tregtare dhe politike.

Një tjetër përfundim për t’u veçuar është se masakra është kryer nga komunitete të tjera të zonës, pasi i paraprin mbërritjes së ushtrive të para romake në gadishullin iberik. Romakët kanë “reputacion” në historinë e zonës si shkaktarë të luftërave dhe vdekjeve masive.